Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur rikthimin në burg të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, në lidhje me çështjen e inceneratorit të Tiranës.
Megjithatë, vendimi nuk është ekzekutuar ende, pasi ish-zyrtari ndodhet jashtë Shqipërisë prej më shumë se katër muajsh.
Avokati i tij, Maksim Sota, deklaroi se largimi i Kokës nuk ka lidhje me shmangien e drejtësisë, por me trajtimin mjekësor jashtë vendit. Sipas mbrojtjes, gjatë qëndrimit në paraburgim ish-ministri ka shfaqur probleme shëndetësore dhe pas lirimit në dhjetor ka udhëtuar për kurim të specializuar.
Avokati shtoi se klienti i tij do të paraqitet para autoriteteve shqiptare sapo të përfundojë trajtimin mjekësor.
Vendimi i fundit erdhi pasi Apeli i Posaçëm pranoi kërkesën e prokurorisë për të rrëzuar pjesërisht vendimin e shkallës së parë, e cila në prill 2025 kishte vendosur shuarjen e masës së sigurimit ndaj Kokës.
Edhe pse në atë kohë ai ishte dënuar me 2 vite burg për shpërdorim detyre në bashkëpunim, gjykata kishte vlerësuar se dënimi ishte konsumuar për shkak të kohës së kaluar në paraburgim.
Me rillogaritjen e dënimit në shkallën e dytë, ish-ministri duhet të vuajë pjesën e mbetur të dënimit, duke rikthyer statusin e tij si person në kërkim për ekzekutimin e vendimit penal.
Mbrojtja këmbëngul se procesi ka qenë transparent dhe se Lefter Koka është njoftuar zyrtarisht për vendimin e Apelit.
