Deputeti socialist Erion Braçe ka denoncuar përmes një videoje në rrjetet sociale gjendjen e rënduar me mbeturina në zonën e Myslym Shyrit në Tiranë.
Në pamjet e publikuara shihen dyshekë, rroba dhe mbetje të tjera të hedhura në mes të zonës, ndërsa Braçe e cilësoi situatën si një vatër serioze infeksioni.
Sipas Erion Braçe, në zonë lëviznin edhe minj mes plehrave, duke shtuar rrezikun për shëndetin publik.
“Në mes të Myslym Shyrit, ky nivel pisllëku! Nuk di nëse e ka prishur IMT apo vetë pronari, por kushdo që e ka lënë kështu i ka borxh lagjes pastrimin e menjëhershëm”, u shpreh ai.
Deputeti theksoi se zona ndodhet në një nga rrugët më të frekuentuara të kryeqytetit dhe kërkoi ndërhyrje urgjente jo vetëm për pastrimin, por edhe për dezinfektimin dhe dezinsektimin e hapësirës.
“Kjo është një vatër infeksioni me minj që lëviznin nëpër plehra. Jo vetëm duhet pastruar menjëherë, por edhe duhet dezinfektuar dhe dezinsektuar”, deklaroi Erion Braçe.
Reagimi i tij vjen në një kohë kur problematika e menaxhimit të mbetjeve urbane dhe higjienës publike vijon të mbetet një nga shqetësimet kryesore në disa zona të Tiranës.
