Në Gjykatë po zhvillohet seanca ndaj Artan Tafani lidhur me atentatin ndaj Kujtim Meta, ngjarje e ndodhur në prill të vitit 2022 në Lushnjë.
Gjatë seancës ka dëshmuar një dëshmitar okular, i cili ka treguar momentet e atentatit, ku Meta mbeti i plagosur dhe më pas arriti të mbijetojë pas transportimit në spital.
Sipas dëshmisë së dhënë në sallën e gjyqit, ai ndodhej në një lokal pranë stacionit të trenit së bashku me vëllanë e tij kur ndodhi sulmi.
“Kujtim Metën e njoh, e kam në lagje. Ditën që ndodhi atentati isha me vëllanë duke pirë kafe. Hyri dikush me maskë. Kam dëgjuar vetëm të shtënat dhe jam fshehur poshtë tavolinës”, deklaroi dëshmitari.
Ai shtoi se autori ishte i maskuar dhe se nuk arriti ta identifikonte, ndërsa pas ngjarjes së bashku me persona të tjerë transportuan të plagosurin drejt spitalit.
Sipas dëshmitarit, vëllai i tij pësoi traumë pas ngjarjes, ndërsa lokali ku ndodhi atentati ishte një vend ku ai frekuentonte rregullisht për kafen e mëngjesit dhe të pasdites.
Më herët, në dëshminë e tij para hetuesve, Tafani kishte deklaruar se atentati ishte porositur nga Laert Haxhiu për shkak të një konflikti që, sipas tij, shënjestra kishte pasur me babain e Haxhiut.
