Gazetari Elkier Bushkolaj deklaroi se problemi më i madh me të cilin përballet sot SPAK është pastrimi i parave dhe krimi financiar, duke e cilësuar atë si “elefantin në dhomë”.
I ftuar në një studio televizive, Bushkolaj tha se shumë nga dosjet që kanë kaluar në duart e gazetarëve tregojnë mekanizma të sofistikuar të zhvatjes së fondeve publike dhe manipulimit të tenderave.
“Të paktën disa prej dosjeve që kemi kaluar nëpër duar kanë treguar diçka: zhvatje në mënyrë kirurgjikale. Pra, çdo detaj është menduar me kujdes”, u shpreh ai.
Sipas gazetarit, sistemi funksionon përmes një zinxhiri personash anonimë që përdoren si “prestanome” në politikë, biznes dhe institucione.
“Këtu kemi ministra prestanome, njerëz që bëjnë padi si prestanome në gjykatë dhe biznesmenë prestanome”, deklaroi Bushkolaj.
Ai akuzoi institucionet financiare dhe shtetërore për mosveprim ndaj flukseve të dyshimta monetare, duke përmendur edhe Banka e Shqipërisë.
“Krimi financiar nuk ekziston më në Shqipëri. Banka e Shqipërisë është një institucion i zhytur kokë e këmbë në pastrimin e parave”, tha gazetari.
Bushkolaj pretendoi se SPAK ka treguar standard të ndryshëm ndaj opozitës dhe mazhorancës, duke përmendur çështjet ndaj Sali Berisha, Ilir Meta dhe Fatmir Mediu.
“SPAK ka qenë shumë aktiv në raport me liderët e opozitës… Nga krahu tjetër ka pasur stepje dhe tolerim”, deklaroi ai.
Gazetari përmendi edhe dosjen Çështja McGonigal, duke thënë se në SHBA ajo është ndjekur intensivisht, ndërsa në Shqipëri ka pasur pak zhvillime.
Në fund, Bushkolaj paralajmëroi se partnerët ndërkombëtarë po shtojnë presionin ndaj institucioneve shqiptare dhe se mund të ketë zhvillime të forta politike në vijim.
“Janë partnerët e Bashkimit Europian që çdo ditë çojnë sinjale dhe dosje”, përfundoi ai.
