Ish-deputeti i Partia Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar sërish ashpër për situatën brenda selisë blu, duke komentuar largimin nga lëvizja e nisur prej tij të figurave si Ilir Alimehmeti dhe Aulon Kalaja.
I ftuar në një emision televiziv, Salianji deklaroi se pakënaqësia ndaj drejtimit të Sali Berisha është shumë më e madhe sesa duket publikisht.
“Situata është kjo: 80% e demokratëve janë të pakënaqur me drejtimin e tij. Po të jepej mundësia për votim të fshehtë, ai e di që do t’i dilnin kundër. Së pari, ai nuk duhet të kandidojë fare sipas statutit dhe ligjit të partisë”, u shpreh Salianji.
Ai tha se nuk e ka çuar çështjen në gjykatë, pasi ka preferuar një zgjidhje politike brenda PD-së.
“Nuk e kam çuar në gjykatë sepse kam dashur të ketë një zgjidhje politike. Unë po kërkoj që PD të jetë fituese”, deklaroi ai.
Duke komentuar raportet me Alimehmetin dhe Kalanë, Salianji u shpreh se nuk e di kë do të mbështesin ata në garën e brendshme të partisë.
“Unë nuk e di kë do votonin Alimehmeti dhe Kalaja. Kur Edi Rama doli kundër Fatos Nanos, kë kishte në krah? Askënd”, tha ai.
Salianji pretendoi se lëvizja e tij ka sjellë ndryshime konkrete në strukturat e PD-së, duke iu referuar emërimeve të fundit.
“Po nuk ikën këta që nga roje koteci, nuk fiton dot. Unë e kam arritur një qëllim. Me një kafe, njëri u bë kryetar. Më i votuari në listën e Durrësit u bë kryetar në Krujë. Tjetri pritet të jetë kandidat për Bashkinë e Tiranës”, deklaroi ish-deputeti.
Në fund, ai theksoi se synimi i tij nuk është përçarja e partisë, por rikthimi i saj si forcë konkurruese.
“Nuk dua të shkatërroj PD-në. Figurat duhen për të sjellë njerëz, por nëse një figurë publike largon njerëzit, atëherë këtë problem duhet ta zgjidhim”, përfundoi Salianji.
