Analisti Agim Baçi ka komentuar zhvillimet e fundit politike dhe situatën brenda Partia Demokratike, duke deklaruar se opozita ndodhet në një ngërç të brendshëm në një moment kur duhet të ishte e bashkuar përballë mazhorancës.
I ftuar në një studio televizive, Baçi u ndal fillimisht te raportet e kreut të PD-së, Sali Berisha, me ndërkombëtarët dhe sulmet e tij ndaj ambasadorit të BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato.
Sipas analistit, mungesa e kontakteve të Berishës me diplomatët ndërkombëtarë është një situatë e pazakontë për politikën shqiptare.
“Që nga viti 1991, ndërkombëtarët kanë takuar gjithmonë edhe kreun e opozitës. Sot mungon ky komunikim dhe Berisha e ndjen këtë hendek”, deklaroi Baçi.
Ai shtoi se opozita nuk po përfaqësohet në mënyrën më të mirë në tryezat ndërkombëtare dhe se deklaratat politike të Berishës nuk po reflektohen në vendimmarrjet zyrtare të Bashkimit Europian.
“Mungon një lider opozite aty ku diskutohen çështje të rëndësishme. Rezolutat që Berisha përmend mbeten retorikë politike, sepse ai që vendos është raporti i BE-së”, u shpreh analisti.
Duke komentuar zhvillimet e brendshme në PD dhe garën për drejtimin e partisë, Baçi tha se Berisha ndodhet “peng i premtimeve të veta”, ndërsa partia po prodhon konflikte të brendshme në vend që të fokusohet te përballja politike me qeverinë.
Ai komentoi edhe përjashtimin nga gara të Ervin Salianji, duke sugjeruar se arsyeja lidhet me qasjen ndryshe që ai kërkon brenda partisë.
“Berisha nuk e lejon Salianjin në garë sepse Salianji kërkon një frekuencë tjetër brenda PD-së, e cila nuk është dakord me Berishën”, përfundoi Baçi.
