Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka replikuar me opozitën gjatë mbledhjes së Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme, ku u diskutua raporti i qeverisë për procesin e integrimit europian.
Gjatë fjalës së tij, Balla deklaroi se sfida kryesore e Shqipërisë mbetet respektimi strikt i afateve për mbylljen e negociatave me Bashkimin Europian.
“Ambicia jonë është që negociatat të mbyllen brenda Krishtlindjeve të vitit 2027 dhe Shqipëria të jetë gati që në vitin 2029 të ketë kandidatët e saj për eurodeputetë”, tha ai.
Deputeti socialist falënderoi ekipin negociator të drejtuar nga ministrja dhe kryenegociatorja Majlinda Dhuka, duke e cilësuar progresin e Shqipërisë si rekord krahasuar me vendet e tjera të rajonit.
Balla kritikoi opozitën për qëndrimet e saj ndaj procesit të integrimit, duke i akuzuar se nuk lexojnë dokumentet parlamentare dhe se kërkojnë të krijojnë perceptimin e dështimit të Shqipërisë në BE.
“Dëgjova kolegë të opozitës që ankoheshin për mungesë informacioni, ndërkohë që lista e ligjeve është publike dhe gjendet në faqen e Kuvendit. Disa prej jush e kanë mendjen vetëm të marrin fjalën për të rrokanisur kokat e të tjerëve”, deklaroi Balla.
Ai i ftoi deputetët opozitarë të mbështesin reformat dhe procesin e integrimit me votë në Kuvend.
“Jepe një votë, vendose edhe ti një tullë për integrimin europian. Thuaj që edhe unë kam kontribuar për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”, u shpreh ai.
Në vijim të debatit, Balla ironizoi opozitën duke i quajtur “dashamirësit apo dashnorët e Bashkimit Europian”, ndërsa solli në vëmendje vlerësimet pozitive që, sipas tij, kanë ardhur nga zyrtarët europianë për progresin e Shqipërisë.
Ai përmendi deklaratat e komisioneres europiane Marta Kos, e cila sipas Ballës e ka cilësuar Shqipërinë “shembull transformues” në rajon.
Gjithashtu, ai tha se edhe raportues të Parlamentit Europian dhe presidenca daneze e BE-së kanë vlerësuar progresin e vendit në negociata.
“Ka nga ata që luten që Shqipëria të dështojë, por Shqipëria do të jetë anëtare e Bashkimit Europian”, përfundoi Balla.
