Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Klevis Balliu, ka sulmuar ashpër raportin e qeverisë për procesin e integrimit europian, duke e cilësuar atë një “manifest propagande” që shmang problemet reale të vendit.
Gjatë deklaratës së tij, Balliu akuzoi qeverinë se raporti paraqet një realitet të deformuar dhe nuk trajton çështjet që sipas tij pengojnë integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Ky raport nuk flet as për skandalin e AKSHI-t, as për aferat e Belinda Ballukut, as për krimin e organizuar dhe pastrimin masiv të parave. Është thjesht një fletë propagande që tenton të fshehë realitetin dramatik të vendit”, deklaroi ai.
Balliu u ndal veçanërisht te çështja e AKSHI-t dhe mbrojtja publike që, sipas tij, kryeministri Edi Rama i ka bërë ish-drejtoreshës së institucionit, Mirlinda Karçanaj.
“Sapo u takua me ambasadorin e BE-së, Silvio Gonzato, Rama doli me flamurin e Bashkimit Europian në krah për të mbrojtur Mirlinda Karçanajn dhe AKSHI-n, duke tentuar të japë mesazhin sikur Europa është dakord me këtë aferë”, u shpreh Balliu.
Sipas deputetit demokrat, raporti shmang gjithashtu disa çështje që lidhen me sigurinë kombëtare dhe korrupsionin, si:
- Skandali i AKSHI-t dhe tenderat në infrastrukturën digjitale;
- Projekti “Smart City Albania”;
- Porti i Durrësit dhe Porto Romano;
- Çështja “KAYO” dhe konfliktet e mundshme të interesit në sektorin e mbrojtjes.
Balliu akuzoi qeverinë edhe për mosadresimin e fenomenit të pastrimit të parave në ndërtim.
“Sot Shqipëria është kthyer në kantier kullash të financuara nga para të pista. Këto para kanë deformuar tregun dhe kanë goditur ekonominë reale”, deklaroi ai.
Ai shtoi se raporti injoron edhe problematikat e evidentuara nga OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 11 majit 2025, përfshirë përdorimin e administratës dhe ndikimin e elementëve kriminalë në procesin zgjedhor.
“Demokracia zgjedhore është themeli i integrimit europian dhe nuk mund të anashkalohet me heshtje politike”, theksoi Balliu.
Në fund, ai kujtoi edhe deklaratat e eurodeputetit David McAllister, sipas të cilave Shqipëria ka pësuar rënie në indeksin e luftës kundër korrupsionit.
