Nënkryetari i Komisionit të Ekonomisë, Enno Bozdo, ka kritikuar raportin e qeverisë mbi procesin e integrimit europian, duke deklaruar se reformat e paraqitura mbeten kryesisht formale dhe nuk reflektohen në jetën reale të qytetarëve.
Gjatë diskutimeve në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Bozdo tha se Bashkimi Europian nuk kërkon vetëm miratim ligjesh, por standarde reale në funksionimin e institucioneve dhe përmirësim konkret të ekonomisë.
“Raporti prezanton vetëm reforma në letër. BE kërkon cilësi në procesin legjislativ. Ky standard ka çeduar dhe procesi legjislativ ka kaluar pa mundësi për diskutime”, deklaroi ai.
Deputeti demokrat kritikoi mënyrën e miratimit të disa ligjeve, duke përmendur si problematikë ligjin për Portet dhe një tjetër që ai e quajti “Durana”, për të cilët tha se bien ndesh me direktivat e Bashkimit Europian.
Bozdo ngriti shqetësime edhe për situatën ekonomike dhe dobësinë e sektorit industrial në Shqipëri.
“Sot industria përbën vetëm rreth 7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërkohë që mesatarja në rajon është rreth 10%. Industria shqiptare mbetet ndër sektorët më të goditur”, u shpreh ai.
Sipas Bozdos, raporti i qeverisë nuk trajton në mënyrë reale problematikat kryesore ekonomike të vendit, sidomos në industrinë prodhuese dhe sektorin energjetik.
Ai paralajmëroi gjithashtu për pasoja në sektorin e energjisë, duke përmendur rrezikun që Shqipëria të përballet me masa nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Vjenë për shkak të mungesës së reformave të kërkuara.
“Integrimi europian nuk është vetëm proces teknik apo statistika në letër. Është standard jetese dhe ekonomi funksionale për qytetarët”, theksoi Bozdo.
