Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kritikuar qeverinë gjatë mbledhjes së Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme, ku u diskutua raporti mbi procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian për vitin 2025 dhe periudhën janar-prill 2026.
Gjatë seancës dëgjimore me ministren e Shtetit dhe kryenegociatoren Majlinda Dhuka, Tabaku deklaroi se raporti i qeverisë përmban më shumë lista ligjesh sesa analiza reale mbi cilësinë e reformave dhe zbatimin e tyre në praktikë.
“Ky është një raport që ka më shumë ligje sesa raportim konkret. Parlamenti nuk është fabrikë ligjesh, por duhet të kujdeset për cilësinë e reformave”, u shpreh ajo.
Deputetja demokrate ngriti shqetësime edhe për sistemin e drejtësisë, duke theksuar se qytetarëve shqiptarë u duhen mbi 14 vite për të marrë drejtësi në Apel.
“Sipas të dhënave, proceset administrative në shkallën e dytë zgjasin 5326 ditë. Kjo tregon sa larg është ligji nga praktika”, deklaroi Tabaku.
Ajo u ndal edhe te korrupsioni dhe prokurimet publike, duke akuzuar qeverinë për mungesë gare reale në tendera.
“14% e procedurave zhvillohen me një ofertues të vetëm dhe 15% e tenderëve nuk publikohen fare. Ndërsa 60% e vlerës totale të tenderëve shkon vetëm për 12 kompani”, tha deputetja.
Tabaku bëri krahasim edhe me vendet e rajonit, duke theksuar se Serbia ka 97.5% të procedurave të prokurimit të hapura.
Ajo kritikoi gjithashtu mungesën e transparencës për ligje të rëndësishme, si ai për portet dhe investimet strategjike, duke pretenduar se opozita përjashtohet nga diskutimet.
“Procesi i integrimit kërkon dy palë, nuk mund të bëhet në mënyrë të njëanshme. Grupet negociatore duhet të hapen për ekspertët, biznesin dhe shoqërinë civile”, përfundoi Tabaku.
