SHBA hedh poshtë planin e Iranit, Trump shqyrton rikthimin e operacioneve ushtarake ndërsa Teherani paralajmëron kundërpërgjigje

Data

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se armëpushimi mes SHBA-së dhe Iranit ndodhet në një situatë tepër të brishtë, duke paralajmëruar se përshkallëzimi i konfliktit mbetet një mundësi reale.

Gjatë një deklarate në Zyrën Ovale, Trump u shpreh se marrëveshja aktuale është “jashtëzakonisht e dobët” dhe se dokumenti i dërguar nga Teherani nuk përmban garanci të mjaftueshme.

“Ajo që na dërguan e ka lënë armëpushimin praktikisht në mbështetje jetësore”, deklaroi presidenti amerikan.

Trump u ndal edhe te programi bërthamor iranian, duke e cilësuar uraniumin e pasuruar si “pluhur bërthamor”. Sipas tij, Irani fillimisht kishte pranuar largimin e materialeve të pasuruara, por më pas kishte ndryshuar qëndrim.

“E pranuan dy ditë më parë, por ndryshuan mendje sepse nuk e vunë me shkrim”, tha ai.

Presidenti amerikan theksoi gjithashtu se administrata e tij po shqyrton opsione të reja strategjike dhe la të kuptohet se mund të rikthehen veprimet ushtarake ndaj Iranit.

Sipas raportimeve të medias amerikane “Axios”, Trump zhvilloi një takim me Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të diskutuar skenarët e mundshëm në rast të dështimit të negociatave.

Nga ana tjetër, Teherani reagoi ashpër ndaj deklaratave amerikane.

Kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, deklaroi se forcat e armatosura iraniane janë të gatshme të përgjigjen ndaj çdo veprimi agresiv.

“Forcat tona të armatosura janë gati të japin përgjigjen e nevojshme ndaj çdo veprimi agresiv. Jemi të përgatitur për çdo eventualitet”, shkroi ai në rrjetin social X.

Edhe Ministria e Jashtme iraniane mbrojti propozimin e saj me 14 pika, duke e cilësuar atë si një ofertë “bujare dhe të përgjegjshme” për sigurinë rajonale.

Sipas zëdhënësit Esmail Baghai, kërkesat e Iranit përfshijnë ndalimin e operacioneve ushtarake, heqjen e bllokadës ekonomike dhe lirimin e aseteve iraniane të ngrira nga SHBA.

Teherani kërkon gjithashtu garantimin e kalimit të sigurt në Ngushticën e Hormuzit dhe stabilitet në rajon.

Ndërkohë, CNN raportoi se negociatat SHBA-Iran nuk pritet të kenë përparim të rëndësishëm përpara takimit të Trump me presidentin kinez Xi Jinping në Pekin.

Sipas burimeve pranë negociatave, Kina pritet të ketë rol kyç në vazhdimin e dialogut mes palëve, ndërsa në takimet e ardhshme të BRICS mund të marrin pjesë edhe përfaqësues të Arabisë Saudite dhe Egjiptit, vende që po ndihmojnë në ndërmjetësimin e kontakteve mes Uashingtonit dhe Teheranit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related