7 efektivë të Policisë së Shtetit nderohen me “Certifikatën e Karrierës”, Hita: Përvoja juaj mbetet model për brezat e rinj

Data

Pas më shumë se katër dekadash shërbim në uniformën blu, shtatë efektivë dhe drejtues të Policisë së Shtetit janë nderuar me “Certifikatën e Karrierës” për kontributin e tyre në sigurinë publike dhe formimin e brezave të rinj të policisë.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast mori pjesë edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, i cili vlerësoi punën dhe përkushtimin e efektivëve ndër vite.

Me këtë certifikatë u nderuan Albert Dervishaj, Skender Kalemi, Dritan Avdyli, Remzi Brahimi, si dhe kryekomisarët Nikolin Thana, Idajet Shatro dhe Arben Ibro.

Në fjalën e tij, Hita u shpreh se ata kanë lënë gjurmë në strukturat e Policisë së Shtetit dhe kanë kontribuar në ndërtimin e një policie më profesionale dhe më të besueshme.

“Puna juaj nuk ka qenë vetëm një detyrë, por një kontribut i gjatë për sigurinë publike dhe forcimin e institucioneve. Përvoja dhe profesionalizmi juaj do të mbeten një referencë për brezat e rinj”, deklaroi ai.

Hita theksoi gjithashtu se dalja në pension nuk nënkupton fundin e lidhjes së tyre me Policinë e Shtetit, duke shtuar se dera e institucionit do të mbetet gjithmonë e hapur për këshillat dhe eksperiencën e tyre.

Në aktivitet morën pjesë drejtues të Policisë së Shtetit, përfaqësues të Akademisë së Sigurisë dhe kolegë të efektivëve që përfunduan karrierën e tyre në radhët e policisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related