Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se protesta e 8 majit pati jehonë të madhe ndërkombëtare dhe u pasqyrua gjerësisht nga mediat botërore.
Gjatë një konference për mediat, Berisha e cilësoi protestën si një “uragan lirie” që sipas tij tronditi qeverinë e Edi Ramës.
“Uragani i lirisë i datës 8 maj tronditi në themele narkoregjimin e Edi Ramës,” u shpreh ai.
Sipas Berishës, protesta u raportua nga media dhe agjenci ndërkombëtare si Reuters, Deutsche Welle, Anadolu Agency dhe Getty Images, të cilat e paraqitën tubimin si një protestë paqësore kundër korrupsionit.
Kreu i PD-së tha se demonstrata e opozitës ishte një nga lajmet më të ndjekura në mediat ndërkombëtare.
“8 maji ishte kryelajm i medieve botërore. Nuk gjen një lajm tjetër të transmetuar me kaq vlerësim sa protestat në bulevardin e Tiranës”, deklaroi Berisha.
Ai pranoi gjithashtu se organizimi i protestës mund të ishte më i mirë dhe kërkoi më shumë angazhim nga strukturat e Partisë Demokratike.
“Organizatorët duhet të bëjnë një punë më të studiuar dhe më të mirë”, tha ai.
Berisha theksoi se protesta ishte paqësore dhe se gjatë saj nuk pati asnjë polic të plagosur apo të dëmtuar.
Në deklaratën e tij, kreu i opozitës sulmoi edhe kryeministrin Edi Rama lidhur me procesin e integrimit europian dhe projektet shtetërore në fushën digjitale, duke pretenduar se qeveria po e trajton integrimin si “pronë personale”.
Ai akuzoi qeverinë për lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar, duke deklaruar se këto janë pengesat reale për rrugën europiane të Shqipërisë.
