BE mesazh Ballkanit Perëndimor: Pa harmonizim me politikën e jashtme evropiane nuk ka avancim në integrim

Data

Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian kanë dhënë mbështetje politike për thellimin e bashkëpunimit me vendet e Ballkanit Perëndimor në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, por njëkohësisht kanë përcjellë një mesazh të qartë për procesin e integrimit europian.

Gjatë takimit ministror të zhvilluar më 11 maj, diplomatët evropianë u takuan me përfaqësuesit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kosova u përfaqësua nga ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas, deklaroi se Bashkimi Evropian është i gatshëm të mbështesë rajonin në luftën kundër kërcënimeve hibride dhe dezinformimit, si dhe në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse përmes Instrumentit Evropian të Paqes.

Megjithatë, ajo theksoi se përparimi në rrugën drejt anëtarësimit kërkon harmonizim të plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së.

“Në këto kohë gjeopolitike, harmonizimi nuk është thjesht një detyrim formal, por tregon nëse ne e shohim botën në të njëjtën mënyrë”, u shpreh Kallas.

Ajo pranoi se jo të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë plotësisht të harmonizuara me politikën e sanksioneve të Bashkimit Evropian.

Në fokus të kritikave mbetet Serbia, e cila edhe pse aspiron anëtarësimin në BE, vazhdon të refuzojë vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë.

Shefja e diplomacisë evropiane nënvizoi se nga vendet e rajonit priten reforma të mëtejshme, respektim i sundimit të ligjit dhe një qëndrim më i qartë në përputhje me politikën e jashtme evropiane.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related