Ka nisur në Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar procesi gjyqësor ndaj Sali Berisha dhe të bashkëpandehurve të tjerë.
Njëri prej avokatëve mbrojtës të Berishës, Genc Gjokutaj, mungoi në seancë për arsye familjare.
Sipas raportimeve nga salla e gjyqit, SPAK ka bërë kundërshtim të pjesshëm të dëshmisë së deputetit socialist Taulant Balla, lidhur me dokumentacionin për dëmshpërblimin e pronarëve të tokës.
Prokuroria argumentoi se Balla kishte deklaruar se kishte dijeni për dokumentet, i kishte parë ato dhe kishte dorëzuar prova në proces.
Edhe avokatët e të pandehurve kundërshtuan pjesërisht dëshminë e Ballës.
Jamarbër Malltezi deklaroi se në dëshminë e Ballës kishte “disa gënjeshtra”, por tha se do t’i trajtojë në një moment tjetër procedural.
Gjykata pranoi kundërshtimet e paraqitura si nga SPAK, ashtu edhe nga mbrojtja e të pandehurve.
