Autoritetet shëndetësore kanë identifikuar studiuesin holandez të shpendëve, Leo Schilperoord, si “pacientin zero” të dyshuar në shpërthimin e hantavirusit në bordin e anijes turistike MV Hondius.
Sipas raportimeve, ornitologu 70-vjeçar dhe bashkëshortja e tij, Miriam Schilperoord, u infektuan gjatë një ekspedite për vëzhgimin e zogjve në Amerikën e Jugut, përpara se të hipnin në anijen turistike.
Hetuesit dyshojnë se çifti ka rënë në kontakt me variantin “Andes” të hantavirusit pranë një zone deponie në Argjentinë, ku kishte prani të minjve të infektuar. Ky variant konsiderohet i vetmi lloj hantavirusi që mund të transmetohet nga njeriu te njeriu.
Katër ditë pasi vizituan zonën, Leo dhe Miriam hipën në bordin e MV Hondius në Ushuaia, së bashku me mbi 100 pasagjerë të tjerë, kryesisht studiues dhe vëzhgues zogjsh.
Sipas të dhënave paraprake, Leo Schilperoord shfaqi simptomat e para më 6 prill, duke përfshirë temperaturë, diarre, dhimbje koke dhe dhimbje stomaku. Ai ndërroi jetë në bord më 11 prill.
Më 24 prill, bashkëshortja e tij Miriam u largua nga anija në ishullin Saint Helena së bashku me trupin e pajetë të Leos dhe tentoi të udhëtonte drejt Holandë përmes Johanesburg. Por gjendja e saj shëndetësore u përkeqësua dhe ajo u ndalua nga ekuipazhi i avionit për shkak të simptomave të rënda. Miriam humbi jetën një ditë më vonë pas kolapsit në aeroport.
Sipas Organizata Botërore e Shëndetësisë, deri tani shpërthimi në anijen turistike ka shkaktuar të paktën tre viktima.
