Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vijuar me akuza të forta politike gjatë deklaratës së tij pas protestës së opozitës në Tiranë, duke përmendur edhe emrin e Mirlinda Karçanaj në lidhje me lirimin e saj nga masa e “arrestit në shtëpi”.
Gjatë fjalës së tij para mbështetësve dhe mediave, Berisha pretendoi se Karçanaj i kishte vendosur ultimatum kryeministrit Edi Rama për ta nxjerrë nga arresti.
“Sot Edi Rama nxori nga arresti i shtëpisë njërin nga krerët e organizatës kriminale të AKSHI-t, Mirlindën. Ajo i çoi ultimatum, ose më nxirr ose këtu te unë do vijë Linda jote”, deklaroi Berisha.
Ai shtoi se opozita nuk do të pajtohet me atë që e cilësoi si korrupsion dhe kriminalizim të qeverisjes, ndërsa përsëriti thirrjet për vazhdimin e betejës politike.
“Ne jemi shqiptarë që nuk pajtohemi kurrë me këta horra, me këta vjedhës, me këta hajdutë. Ne nuk pajtohemi me këta kriminelë. Ja vdekje, ja liri, ne do të fitojmë”, u shpreh kreu demokrat.
Në fund të fjalës së tij, Berisha falënderoi mbështetësit për pjesëmarrjen në protestë dhe deklaroi se opozita do të vijojë aksionin politik “edhe më e vendosur se kurrë më parë”.
