Debatet për çmimin e naftës dhe subvencionet për fermerët kanë shkaktuar përplasje të forta në Kuvend mes deputetit socialist Erion Braçe dhe kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Berisha akuzoi qeverinë për taksa të larta mbi karburantet dhe për heqjen e subvencioneve për fermerët, ndërsa ironizoi Braçen duke deklaruar se “u hoq nga Fieri” dhe nuk mbron më interesat e bujqve.
Sipas Berishës, Shqipëria ka një nga taksat më të larta mbi naftën dhe fermerët po përballen me kosto të papërballueshme.
Nga ana tjetër, Braçe iu kundërpërgjigj duke theksuar se qeveritë e djathta nuk u kishin dhënë fermerëve asnjëherë naftë pa akcizë.
“Të flasin për fermerët njerëz që për 14 vite nuk i dhanë një litër naftë bujqve pa akcizë, është e tepërt”, deklaroi ai.
Braçe shtoi se gjatë qeverisjes socialiste fermerët kanë përfituar për disa vite skema mbështetëse me naftë falas, megjithëse pranoi se nuk ishte dakord me heqjen e fundit të subvencionit.
Debati mes dy politikanëve u fokusua gjithashtu te tregu i hidrokarbureve, importi i naftës dhe niveli i taksave mbi karburantet në Shqipëri.
