Situata në kufirin midis Tajlandës dhe Kamboxhias ka dalë jashtë kontrollit të hënën, pasi shpërthyen përleshje të reja të armatosura që kanë shkaktuar të paktën pesë viktima dhe dhjetëra të plagosur, duke detyruar mijëra civilë të largohen në panik nga zonat kufitare.
Banorët në të dy anët e kufirit u evakuuan me nxitim, teksa dhuna shënoi përshkallëzimin më serioz që nga marrëveshja e armëpushimit e arritur në korrik. Të dy palët akuzojnë njëra-tjetrën për nisjen e sulmeve.
Kryeministri i Tajlandës, Anutin Charnvirakul, deklaroi se vendi i tij “nuk ka kërkuar kurrë dhunë”, por do të përdorë çdo mjet të nevojshëm “për të mbrojtur sovranitetin”. Ndërkohë, ish-udhëheqësi kamboxhian Hun Sen akuzoi Tajlandën për “provokime të hapura” që kërkojnë hakmarrje.
Që nga maji, tensionet e rritura mes dy fqinjëve kanë shkaktuar mbi 40 viktima, dhe kanë sjellë si pasoja masa kufizuese tregtare dhe ndalime udhëtimi.
Pamjet e Reuters treguan radhë të gjata njerëzish që braktisnin fshatrat me traktorë, biçikleta dhe automjete të ndryshme, duke kërkuar strehim më të sigurt. Ushtria tajlandeze raportoi se ishte përgjigjur ndaj zjarrit kamboxhian në provincën Ubon Ratchathani, përfshirë edhe sulme ajrore përgjatë vijës së diskutueshme kufitare. Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes në Phnom Penh pretendoi se forcat tajlandeze e nisën goditjen të parat, duke sulmuar provincën Preah Vihear të Kamboxhias.
Zyrtarët konfirmuan vdekjen e një ushtari tajlandez dhe katër civilëve kamboxhianë, ndërsa rreth një duzinë persona janë plagosur. Për shkak të situatës, ministri i Arsimit të Tajlandës ka urdhëruar mbylljen e 650 shkollave në pesë provinca.
Konflikti i sotëm është pjesë e një mosmarrëveshjeje më shumë se një shekullore për sovranitetin përgjatë një kufiri tokësor 800 kilometra të gjatë, i cili daton që prej hartimit të kufijve pas sundimit kolonial francez në Kamboxhia.
Pavarësisht një marrëveshjeje armëpushimi të nënshkruar në tetor në prani të presidentit amerikan Donald Trump në Malajzi — një marrëveshje që Kamboxhia e promovoi madje duke e nominuar Trumpin për çmimin Nobel të Paqes — tensionet kanë shpërthyer sërish. Vetëm dy javë pas nënshkrimit, Tajlanda pezulloi zbatimin e marrëveshjes pasi dy ushtarë të saj u plagosën nga një minë tokësore në zonën kufitare.
Kamboxhia ka deklaruar vazhdimisht se mbetet e përkushtuar ndaj armëpushimit, ndërsa të dy shtetet tani përballen me një situatë në prag të krizës humanitare, me mijëra njerëz të detyruar të braktisin shtëpitë e tyre.
