Deputetja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, ka mbajtur një fjalim të ashpër në Kuvend, ku akuzoi qeverinë për degradim të demokracisë, korrupsion dhe kapje të institucioneve shtetërore.
Gjatë fjalës së saj, Topalli krahasoi situatën politike në vend me zjarrin që përfshiu pak ditë më parë një pallat pranë Farmacisë nr. 10 në Tiranë.
“Një fasadë e bukur mjaftoi një shkëndijë dhe gjithçka mori flakë. Njësoj po digjen zgjedhjet e lira, parlamenti dhe besimi i qytetarëve te demokracia”, deklaroi ajo.
Deputetja demokrate iu referua gjithashtu dy raporteve ndërkombëtare, duke përmendur të dhënat e Eurostat për nivelin e varfërisë dhe raportin e European Parliament për Shqipërinë, ku sipas saj evidentohen probleme serioze me korrupsionin dhe shtetin ligjor.
Topalli ngriti akuza edhe për situatën në burgje, duke deklaruar se ato janë kthyer në ambiente privilegjesh për persona të lidhur me pushtetin dhe krimin.
“Sot në burgje bëhen festa me alkool e drogë, ndërsa për figurat e opozitës ato janë kthyer në vende torturash”, tha ajo.
Sipas saj, në qeli drejtohen aktivitete kriminale dhe tendera publikë, ndërsa drejtësia vepron me standarde të dyfishta.
Në fund të deklaratës, Topalli kritikoi edhe shpenzimet publike, duke përmendur koncertin e Kanye West, për të cilin tha se janë shpenzuar miliona euro në një kohë kur qytetarët përballen me vështirësi ekonomike dhe pasiguri sociale.
