Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i është shmangur një përgjigjeje direkte lidhur me garën për drejtimin e partisë, gjatë një deklarate për mediat pas paraqitjes së tij në SPAK.
Berisha u pyet nga gazetarja Klodiana Lala nëse mund të konsiderohet garë një proces ku kandidon vetëm një person për postin e kryetarit të Partisë Demokratike.
Në vend që të japë një përgjigje të drejtpërdrejtë, ai zgjodhi ta anashkalojë çështjen, duke sugjeruar që tema të diskutohet në një moment tjetër.
“Po sikur ta lemë për jo këtu, po atje këtë çështje…”, u shpreh ai, duke shtuar se ishte i fokusuar në çështje të tjera gjatë komunikimit me mediat.
Gjatë fjalës së tij, Sali Berisha kaloi më pas në akuza ndaj drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, duke paralajmëruar ngritjen e një padie, si dhe bëri komente edhe për një person tjetër që sipas tij ishte përfshirë në procese ligjore.
Deklarata e Berishës vjen në një moment kur brenda Partisë Demokratike ka debate për proceset e brendshme zgjedhore dhe mungesën e garës reale për drejtimin e saj.
