Zija ka mbuluar zonën e ish-kënetës në Durrës, ku sot familjarë, të afërm dhe banorë i japin lamtumirën e fundit dy fëmijëve të mitur që humbën jetën tragjikisht në një aksident rrugor.
Viktimat janë Eneo Muça, 12 vjeç, dhe Klersi Nikolli, 10 vjeç, të cilët u përplasën për vdekje nga një automjet që, sipas të dhënave paraprake, drejtohej me shpejtësi të lartë dhe në gjendje të dehur.
Atmosfera në zonë është e rëndë, ndërsa dhimbja dhe revolta e banorëve janë të dukshme. Mes lotësh, ata shprehen se ngjarja është pasojë e mungesës së kontrollit dhe sigurisë në rrugë.
“Është e tmerrshme. S’kemi shtet që të ndalojë këta njerëz. Nuk ka fjalë për këtë që ndodhi, është dhimbje shumë e madhe,” shprehen banorët, duke kërkuar më shumë përgjegjësi dhe masa për të parandaluar tragjedi të tilla.
Humbja e dy fëmijëve ka tronditur jo vetëm komunitetin lokal, por mbarë opinionin publik, ndërsa kërkesat për drejtësi dhe masa më të forta ndaj shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor janë shtuar ndjeshëm.
