MIMOZA KUCHLY
Ka njerëz për të cilët nuk arrin të thuash, kanë vdekur, por thjesht u ndanë nga jeta ashtu siç shkëputen meteorët nga qielli. Kjo për të vetmen arsye se kanë lënë gjurmë të thella jo vetëm në kohën e tyre, por edhe në brezat që i ndjekin pas.
13 shkurti data e lindjes së njërës prej figurave, e cila plotëson “kushtet” e kujtimit të përhershëm: Françesk Radi!
Mjafton vetëm emri dhe gjithkush do t’i sjellë ndër mend ose portretin, elegant e me kitarën pas vetes, ose motive nga këngët që nuk i janë fshirë kujtesës. Ndërsa admiruesit e shëtitjeve liqenit të Tiranës do të kujtojnë bustin në bronx me emblemën – kitarën, pikërisht në vendin ku ai dikur në rininë e tij këndonte mes miqsh e shokësh, këngë shiptare dhe të artistëve të tuaj.
Këngëtar, kantautori i parë i muzikës së lehtë moderne shqiptare, i cili i përket brezit të artistëve të viteteve ’70, kompozitor e instrumentist i shkëlqyer në kitarë, kitarë “bass”, kontrabas, piano, mandolinë, çifteli, sharki e të tjera instrumente të temperuar.
Në Melburn të Australisë, u ritakova me bashkëshorten e Françeskut dhe imazhin e vërtetë profesional të ekranit tonë për vite me radhë, e cila krijoi ikonën në gazetari, znj. Tefta Radi. Ndryshe në kryeqytet, ajo i shtoi më tepër emocionet kur lexoi pjesë nga librin “Më duaj, por jo vonë”, me bashkëutorësi Mimoza Ahmetin, prezantuar mes bashkëpatriotëve shqiptarë.
Në ambientet e restorantit të një djaloshi nga Elbasani, folëm së bashku ndër të tjera natyrisht për arritjet dhe ngërçet e kulturës dhe artit tonë, e natyrisht nuk mund të kalonim në heshtje dhimbjen e Teftës. Zëri i saj tashmë i kishte humbur notat ” e seriozitetit ” që isha mësuar ta dëgjoja ekranit. Kjo për shkak të emocioneve të ndarjes pas 42 vitesh jetë, nga Franko, jo vetëm si bashkëshort, por edhe njeriu i shtrenjtë, bashkudhëtari, artisti me të cilin kishte ndarë gjithçka që nga rinia e hershme, gëzime e trishtime, dështime e suksese, gjithçka që i jep jetës ngjyrat e stinëve dhe e bën atë interesante, me të mirat dhe vështirësitë e saj.
Më kujtohet kur dikur ajo dilte në ekran, dashje pa dashje njerëzit nuk harronin të përsërisnin për të shoqin, “hë more, ai këngëtari me kitarë, me biografi të keqe. Po si ka mundësi që e lënë akoma të shfaq lajmet dhe të përhapë fjalën e Partisë?!”.
Në Paris, bleva librin “Gjurmë në pentagram” të cilin Tefta me kujdesin e veçantë, që nga prezantimi tepër elegant, por edhe për gjuhën, dokumentacionin apo arkivin qoftë të familjes apo institucioneve të ndryshme, ia kushton Frankos, njeriut prej të cilit mësoi shumë në jetë, humanizmin pa cak, si të donte e të falte. Po ashtu ia dedikon edhe dy fëmijëve të tyre Anjezës dhe Baltionit.
Ky libër, i publikuar në tri gjuhë: anglisht, gjermanisht dhe shqip, është një dëshmi e shtrenjtë jo vetëm për familjen e artistit, atyre që e kanë njohur dhe vlerësuar artin e Françesk Radit, por dhe gjithkujt që e do dhe e vlerëson muzikën e vërtetë mbështetur në tabanin tonë kombëtar. Rrënjët e tij vinin nga breza artistësh, po ashtu rritur në gjirin e jareve shkodrane, këngëve të shqipërisë së mesme, motiveve popullore të veriut, etj., që ishin një CV e shkëlqyer për ta udhëhequr në krijimtarinë artistike.
