Tragjedia e rëndë në Durrës, ku dy fëmijë humbën jetën dhe një tjetër u plagos rëndë, ka rikthyer në qendër të debatit publik sigurinë e të miturve dhe përgjegjësinë e institucioneve.
E ftuar në një intervistë televizive, Linda Pano nga Koalicioni “Pro Familjes dhe Jetës”, reagoi me tone të ashpra, duke e cilësuar situatën si një dështim të shtetit dhe një alarm serioz për gjithë shoqërinë.
Sipas saj, mungesa e hapësirave të sigurta për lojë, urbanizimi i pakontrolluar dhe neglizhenca institucionale po i ekspozojnë fëmijët ndaj rreziqeve të vazhdueshme. Ajo theksoi se fëmijët janë të detyruar të luajnë në rrugë dhe trotuare, duke u bërë viktima të një sistemi që nuk garanton siguri bazë.
Pano ngriti shqetësimin se tragjeditë e njëpasnjëshme po harrohen shpejt, ndërsa reagimi publik mbetet i përkohshëm. “Ne nuk po u vjedhim vetëm fëmijërinë, por jetën fëmijëve”, u shpreh ajo, duke theksuar se realiteti në vend i ngjan një “ambienti lufte”, ku prindërit jetojnë në ankth të përhershëm.
Ajo solli në vëmendje edhe dramën e familjeve të prekura, duke nënvizuar dhimbjen e thellë që përjetojnë pas humbjeve të tilla, ndërsa kritikoi faktin që qytetet janë betonizuar pa lënë hapësira për fëmijët.
Në përfundim, Pano bëri thirrje për reflektim dhe veprim konkret, duke kërkuar që siguria e fëmijëve të kthehet në prioritet real për institucionet dhe shoqërinë.
