Prokurori i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Adnan Xholi, ka dorëzuar kandidaturën e tij pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) për postin e Prokurorit të Përgjithshëm.
Me dorëzimin e dokumentacionit, Xholi bëhet kandidati i parë që ka shprehur zyrtarisht interes për këtë proces përzgjedhjeje.
Adnan Xholi ka kandiduar edhe më parë për drejtimin e SPAK-ut dhe ka ushtruar detyrën e drejtuesit të Seksionit Kundër Krimit të Organizuar në Prokurorinë e Posaçme.
Sipas afateve të përcaktuara nga KLP, dorëzimi i kandidaturave përfundon më 1 gusht, ndërsa deri më 14 gusht Këshilli do të verifikojë nëse kandidatët plotësojnë kushtet ligjore për pjesëmarrje në garë.
Në përfundim të procesit të vlerësimit, KLP i propozon Kuvendit tre kandidatë. Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet nga Kuvendi për një mandat shtatëvjeçar, në përputhje me procedurat e parashikuara në legjislacionin në fuqi.
Mandati i Prokurorit të Përgjithshëm aktual, Olsian Çela, përfundon në muajin dhjetor.
