SPAK ka intensifikuar hetimet në lidhje me çështjen që përfshin ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku, duke zgjeruar veprimet edhe tek rrethi i saj familjar dhe shoqëror.
Në këtë kuadër, pak ditë më parë është ushtruar kontroll në banesën e gazetarit Sokol Balla, ish-bashkëshort i Ballukut. Sipas burimeve, organi i akuzës dyshon se ai mund të ketë pasur rol në lëvizje financiare që janë aktualisht nën hetim.
Para kontrollit, Balla është paraqitur në SPAK, ku ka dhënë shpjegime lidhur me disa transferta parash jashtë vendit, përfshirë edhe në Austri. Pas daljes nga ambientet e prokurorisë, ai nuk ka dhënë deklarata për mediat.
Hetimet po fokusohen në verifikimin e përfitimeve të mundshme financiare dhe pasurive të paluajtshme që dyshohet se mund të jenë krijuar përmes lidhjeve me ish-zyrtaren e lartë. Në këtë kuadër, janë sekuestruar pajisje elektronike dhe dokumente, të cilat pritet t’i nënshtrohen ekspertimit.
Paralelisht, SPAK ka marrë në pyetje edhe persona të tjerë, përfshirë biznesmenë që kanë përfituar tendera publikë, ndërsa hetimi është shtrirë në disa projekte infrastrukturore me vlera të mëdha.
Autoritetet nuk kanë bërë ende një deklaratë zyrtare mbi përfundimet e deritanishme, ndërsa çështja mbetet në fazë hetimore. Sipas ligjit, çdo person konsiderohet i pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.
