Adriatik Lapaj denoncon skemën e naftës: Eksportohet për përpunim jashtë dhe rikthehet për t’u shitur më shtrenjtë në Shqipëri

Data

Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka bërë një denoncim publik lidhur me mënyrën se si menaxhohet nafta në Shqipëri, duke ngritur shqetësime për ndikimin që kjo ka te çmimi final për qytetarët.

Sipas tij, një pjesë e konsiderueshme e naftës që nxirret nga vendburimet shqiptare eksportohet jashtë vendit për përpunim dhe më pas rikthehet në tregun vendas me çmime më të larta.

“Çdo ditë kalojnë dy trena me rreth 2,500 ton naftë. Ajo eksportohet, përpunohet jashtë dhe rikthehet këtu për t’u shitur me çmimin më të shtrenjtë në Europë”, u shpreh Lapaj.

Ai iu referua edhe të dhënave nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, sipas të cilave gjatë viteve 2004–2025 janë nxjerrë mbi 16 milionë ton naftë nga nëntoka shqiptare nga kompani koncesionare private.

Sipas Lapajt, kjo praktikë tregon mungesë të kapaciteteve përpunuese brenda vendit dhe një model që, sipas tij, dëmton interesin ekonomik të qytetarëve, pasi produkti përfundimtar shitet më shtrenjtë.

Deklarata e tij rikthen në vëmendje debatin mbi menaxhimin e burimeve natyrore dhe politikat energjetike, ndërsa çmimet e karburanteve mbeten një nga shqetësimet kryesore për konsumatorët në vend.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related