Avokati Zaçe Islami sulmon Sali Berisha: “I vetëm në garë si Enver Hoxha, nuk largohet nga pushteti deri sa të vdesë”

Data

Debatet brenda Partisë Demokratike janë ashpërsuar edhe më tej, pasi gara për kreun e partisë është kthyer në një proces pa rivalë, me Sali Berisha si kandidatin e vetëm.

I ftuar në një studio televizive, avokati Zaçe Islami ka lëshuar akuza të forta ndaj mënyrës së organizimit të zgjedhjeve të brendshme, duke e krahasuar situatën me periudhën e diktaturës.

Sipas tij, mungesa e garës reale e bën procesin të pavlefshëm dhe e zhvesh nga çdo standard demokratik. “Kur në një parti ka vetëm një emër në fletë, nuk ka më zgjedhje, ka thjesht nënshtrim”, u shpreh Islami.

Ai shkoi më tej duke bërë një krahasim të drejtpërdrejtë mes Berishës dhe ish-diktatorit Enver Hoxha, duke thënë se të dy kanë ngjashmëri në mënyrën e ushtrimit të pushtetit.

“Me kë garoi Enver Hoxha? Me njeri? Jo. Saliu me Enverin ngjajnë si dy pika uji. Nuk ikën nga pushteti deri sa të vdesë”, deklaroi ai, duke e cilësuar liderin demokrat si një produkt të sistemit të vjetër.

Në vijim, Islami ngriti pikëpyetje edhe për identitetin politik të Partisë Demokratike, duke e kritikuar ashpër për mënyrën e funksionimit dhe duke e cilësuar procesin zgjedhor të brendshëm si të kontrolluar dhe pa alternativa reale.

Deklaratat e tij vijnë në një moment tensionesh të larta brenda opozitës, ku figura të ndryshme kanë shprehur pakënaqësi për përjashtimin e kandidatëve dhe mungesën e konkurrencës në garën për drejtimin e partisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related