SPAK zgjeron hetimet ndaj Belinda Balluku: kontrolle në vila e zyra, në pyetje bashkëpunëtorë dhe biznesmenë për tenderat e rrugëve

Data

Hetimet ndaj Belinda Balluku po hyjnë në një fazë më intensive, teksa SPAK ka zgjeruar veprimet hetimore pas kontrolleve të zhvilluara në zyra, banesa dhe prona të lidhura me ish-zv.kryeministren.

Burime bëjnë me dije se pas këtyre kontrolleve janë marrë në pyetje një sërë personash që konsiderohen të afërt me Ballukun, përfshirë ish-bashkëpunëtorë dhe zyrtarë të administratës.

Ndër ta është Viola Haxhiademi, aktualisht drejtoreshë e Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare, e cila ka dhënë dëshmi në cilësinë e një personi me dijeni për çështjen. Po ashtu është marrë në pyetje edhe Laureta Omeri, ish-këshilltare e Ballukut.

Në fokus të hetimeve janë edhe biznesmenë që kanë përfituar tendera nga Ministria e Infrastrukturës. Arbër Abazi ka dhënë shpjegime për procedura tenderuese, ndërsa Kujtim Hasa ka dorëzuar pajisje elektronike që dyshohet se përmbajnë prova të rëndësishme.

Hetuesit kanë marrë në pyetje edhe persona të tjerë të lidhur me jetën e përditshme të ish-ministres, përfshirë punonjës dhe staf shërbimi, për të sqaruar detaje mbi pasuritë dhe përdorimin e tyre.

Sipas burimeve, hetimet lidhen kryesisht me tenderin e tunelit të Llogarasë dhe projektet e Unazës së Madhe, si dhe me verifikimin e pasurive të Ballukut dhe personave të lidhur me të.

Zhvillimet e fundit tregojnë se çështja po zgjerohet jo vetëm në aspektin penal, por edhe në hetimin financiar, ndërsa priten hapa të tjerë nga organet e drejtësisë në ditët në vijim.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related