Gara për kreun e Partisë Demokratike është shoqëruar me të tjera tensione, pasi Alesia Balliu ka deklaruar se përfaqësuesit të saj nuk po i pranohet kërkesa për kandidim në selinë blu.
Sipas Balliut, askush në Partinë Demokratike nuk ka marrë përsipër të pranojë zyrtarisht dokumentacionin e saj për pjesëmarrje në garë. Ajo thotë se kërkesën e ka dorëzuar edhe përmes postës elektronike.
Në reagimin e saj publik, Balliu ka sulmuar ashpër Sali Berishën, duke e akuzuar për frikë nga gara dhe mungesë transparence në procesin e brendshëm zgjedhor.
Ajo e cilëson situatën si një tregues të mungesës së garës së ndershme brenda Partisë Demokratike, duke theksuar se refuzimi për të marrë dokumentet nuk është thjesht çështje procedurale, por shenjë e mbylljes së procesit.
Balliu deklaron se Partia Demokratike duhet t’u kthehet demokratëve dhe paralajmëron se, pavarësisht pengesave, do të vijojë përpjekjen e saj për të qenë pjesë e garës.
Zhvillimi vjen në një moment kur procesi për zgjedhjen e kryetarit të PD-së është shoqëruar me kritika të forta nga disa figura, të cilat pretendojnë se kriteret dhe afatet e vendosura po kufizojnë konkurrencën reale brenda partisë.
