Një nga skandalet më të rënda në sistemin shëndetësor publik ka marrë rrugë drejt gjykimit, pasi Prokuroria e Tiranës ka dërguar për gjykim disa nga personat e përfshirë në çështjen e Spitalit Onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare Tiranë (QSUT).
Në mesin e të pandehurve është ish-zv.drejtoresha e QSUT, Brikena Qirjazi, si dhe një grup mjekësh dhe specialistësh, përfshirë Edmond Gashin, Alketa Peren, Emiljano Lelën, Drilona Kishtën dhe Halil Gashin. Ndërkohë, për mjekun Edmond Gashi, dosja vijon të trajtohet nga SPAK për shkak të kompetencës.
Sipas hetimeve, këta persona dyshohet se kanë ndërtuar një skemë abuzimi me pacientët e prekur nga sëmundjet tumorale, duke i orientuar qëllimisht drejt klinikave private, ku shërbimet ofroheshin kundrejt pagesave të larta. Ky veprim dyshohet se është kryer në bashkëpunim mes stafit mjekësor dhe administratorëve, me qëllim përfitimi financiar.
Prokuroria ka evidentuar gjithashtu probleme të rënda në menaxhimin e pajisjeve mjekësore. Në spital ishte instaluar një aparaturë për kobalto-terapi, e destinuar për trajtimin e pacientëve me tumor, por ajo nuk u vu asnjëherë në funksion për shkak të mosrespektimit të kushteve teknike dhe standardeve të sigurisë.
Si pasojë, pacientëve u është mohuar një shërbim i rëndësishëm shëndetësor, ndërsa pajisja është kthyer në një burim potencial rreziku për personelin dhe ambientin përreth.
Hetimet për këtë çështje nisën në vitin 2024, pas zbulimit të skemës dhe vendosjes së masave të sigurisë ndaj personelit të përfshirë. Tashmë, me dërgimin e dosjes në gjykatë, pritet që drejtësia të përcaktojë përgjegjësitë penale për një nga rastet më të diskutuara të abuzimit në sistemin shëndetësor shqiptar.
