Apeli i GJKKO konfirmon vendimin për dosjen “Balluku”: lejohet këqyrja e 80 celularëve të sekuestruar, refuzohet ankimi i kompanisë “Senka”

Data

Gjykata e Apelit të Posaçëm ka lënë në fuqi vendimin e GJKKO për këqyrjen e celularëve të sekuestruar në kuadër të hetimeve për dosjen “Balluku”.

Vendimi i Apelit i hap rrugë hetuesve të SPAK për të analizuar të dhënat në pajisjet elektronike, të cilat konsiderohen prova të rëndësishme në hetimin për abuzime të dyshuara me tendera publikë.

Ankimi ndaj vendimit ishte bërë nga kompania “Senka shpk”, një prej subjekteve të përfshira në kontrollet e kryera nga SPAK. Megjithatë, Apeli e rrëzoi kërkesën, duke konfirmuar vendimin e shkallës së parë.

Sipas urdhrit të gjykatës, bëhet fjalë për rreth 80 pajisje elektronike që do t’i nënshtrohen këqyrjes, në përpjekje për të zbardhur komunikime dhe të dhëna që lidhen me hetimin.

Ndërkohë, hetimet ndaj Belinda Balluku vijojnë të thellohen. Vetëm një ditë më parë, janë ushtruar rreth 20 kontrolle në banesa të familjarëve dhe bashkëpunëtorëve të saj të afërt.

Dosja “Balluku” lidhet me dyshime për shkelje në procedurat e tenderave me vlera të mëdha, ndërsa organi i akuzës po ndjek disa pista hetimi që përfshijnë edhe rrjedhën e fondeve dhe marrëdhëniet me kompani të ndryshme private.

Vendimi i fundit i Apelit konsiderohet një hap i rëndësishëm për vijimin e hetimeve, duke i dhënë prokurorëve akses të plotë në provat dixhitale që mund të ndihmojnë në zbardhjen e çështjes.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related