Shqipëria është përfshirë në një marrëveshje të rëndësishme energjetike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Greqi, me një vlerë prej rreth 6 miliardë dollarësh, që synon furnizimin afatgjatë me gaz natyror të lëngshëm (LNG) për Europën Jugore.
Marrëveshja 20-vjeçare u firmos në prani të ambasadores amerikane në Athinë, Kimberly Guilfoyle, e cila zhvilloi edhe një takim me kryeministrin Edi Rama.
Në deklaratën e saj, Guilfoyle theksoi rëndësinë strategjike të këtij bashkëpunimi, duke e lidhur atë me sigurinë energjetike dhe ekonomike të rajonit.
“Siguria dhe ekonomia shkojnë krah për krah. Presidenti Donald Trump ka qenë një kampion i sigurisë energjetike, duke e bërë atë një shtyllë kryesore të politikës globale,” u shpreh ajo.
Ambasadorja nënvizoi gjithashtu rëndësinë e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë, duke i cilësuar ato si më shumë se thjesht fqinjësi, por një partneritet me ndikim në zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin rajonal.
“Kur SHBA, Shqipëria dhe Greqia punojnë së bashku, i gjithë rajoni përfiton,” theksoi Guilfoyle.
Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, qeveria shqiptare planifikon edhe zhvillime të reja infrastrukturore, përfshirë rivitalizimin e qendrës energjetike në Vlorë, rritjen e kapaciteteve gjeneruese me rreth 250 MW dhe ndërtimin e një tubacioni Fier–Vlorë, që do ta lidhë këtë zonë me rrjetin kombëtar dhe rajonal të gazit.
Projekti konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt rritjes së pavarësisë energjetike dhe forcimit të rolit të Shqipërisë në tregun energjetik rajonal.
