Policia e Vlorës ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Hostage”, duke arrestuar tre persona që kishin rrëmbyer dhe mbajtur peng një 39-vjeçar nga Mitrovica e Kosovës, për të cilin kërkonin 70 mijë euro në këmbim të lirimit.
Në pranga ranë:
- Julian Zogaj, 25 vjeç
- Orest Çorapaj, 18 vjeç
- Vilson Agaj, 35 vjeç
Të tre banues në qytetin e Vlorës, të akuzuar për veprat penale:
- “Rrëmbim ose mbajtja peng e personit”, e kryer në bashkëpunim
- “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”
- “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”
Sipas hetimeve, më 28 nëntor 2025, autorët rrëmbyen 39-vjeçarin dhe e mbajtën peng në një apartament në rrugën “Janaq Kilica”, në lagjen “Osman Haxhiu”. Gjatë kohës së pengmarrjes, viktima u dhunua fizikisht, ndërsa autorët i kërkuan familjarëve të tij shumën prej 70.000 eurosh për lirimin.
Pas denoncimit të familjarëve, strukturat e Policisë së Vlorës reaguan menjëherë, duke lokalizuar banesën dhe ndërhyrë me shpejtësi. Si rezultat i operacionit, 39-vjeçari u lirua i gjallë dhe iu dha ndihma e nevojshme mjekësore.
Gjatë kontrollit në apartament, policia sekuestroi:
- një sasi lënde narkotike të dyshuar Cannabis Sativa
- një radio marrëse-dhënëse, e ngjashme me ato të Policisë
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme ligjore.
Policia vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të verifikuar nëse të arrestuarit janë të përfshirë në episode të tjera kriminale.
