Analisti Baton Haxhiu ka reaguar me tone të forta ndaj mënyrës se si po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj ish-presidentit Ilir Meta, duke kritikuar vendimin për ta mbajtur atë në një strukturë xhami gjatë seancave.
I ftuar në një emision televiziv, Haxhiu e cilësoi këtë praktikë si një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe një imazh negativ për sistemin e drejtësisë.
“Të gjykosh një njeri brenda kafazit është e kundërta e drejtësisë. Po trajtohet si kafshë e rrezikshme,” u shpreh ai.
Sipas tij, përdorimi i “kafazit” – qoftë edhe në formë xhami – nuk përputhet me standardet demokratike dhe cenon dinjitetin e të pandehurit.
Haxhiu ngriti shqetësime edhe për aspektin simbolik të kësaj mase, duke theksuar se drejtësia duhet jo vetëm të zbatohet, por edhe të perceptohet si e drejtë nga publiku.
“Nuk ka demokraci dhe liri brenda kafazit,” deklaroi ai.
Ai bëri thirrje për reagim qytetar dhe debat publik mbi këtë çështje, duke e konsideruar si një problem që shkon përtej një rasti individual dhe prek standardet e sistemit gjyqësor në tërësi.
Debati mbi përdorimin e strukturave të tilla në sallat e gjyqit vijon të jetë i fortë në opinionin publik, me qëndrime të ndara mbi nevojën për siguri dhe respektimin e të drejtave themelore.
