“Mos-heqja e imunitetit të Belinda Balluku pengon SPAK”/ Reagon Enkelejd Alibeaj: Prokurorët janë target i politikës

Data

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, ka komentuar raportin e paraqitur nga kreu i SPAK, Klodian Braho, duke theksuar se megjithëse është rritur numri i procedimeve dhe hetimeve, sfidat për institucionin mbeten të mëdha.

Në një intervistë televizive, Alibeaj u ndal veçanërisht tek klima politike, duke e cilësuar retorikën ndaj prokurorëve si një formë presioni të vazhdueshëm.

“Prokurorët janë target i përditshëm i luftës së retorikës së politikës,” u shpreh ai.

Sipas tij, sulmet verbale dhe tensionet politike nuk ndihmojnë funksionimin normal të drejtësisë dhe mund të ndikojnë negativisht në pavarësinë e institucioneve.

Alibeaj kritikoi edhe mungesën e reagimit të Këshilli i Lartë i Prokurorisë, duke thënë se ky institucion nuk ka qenë mjaftueshëm aktiv për të mbrojtur prokurorët nga sulmet politike.

Një tjetër pikë e fortë e deklaratës së tij ishte çështja e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Alibeaj e cilësoi mos-heqjen e imunitetit si një pengesë direkte për punën e SPAK.

“Mos-heqja e imunitetit është një pengim i drejtpërdrejtë i punës së SPAK,” theksoi ai.

Ai përmendi gjithashtu iniciativa ligjore të depozituara në Kuvend, që sipas tij mund të kufizojnë veprimtarinë e SPAK, duke përfshirë ndryshime që lidhen me pezullimin nga detyra të zyrtarëve nën hetim.

Në përfundim, Alibeaj u shpreh se pret një qëndrim më të fortë institucional për mbrojtjen e drejtësisë dhe garantimin e pavarësisë së saj, duke nënvizuar se vetëm hetimet e shumta nuk janë të mjaftueshme pa një klimë të shëndetshme politike.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related