Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, gjatë një konference për shtyp së bashku me Sali Berishën dhe deputetë të tjerë të opozitës, deklaroi se hetimet e fundit po faktojnë përfshirjen e zëvendëskryeministres Belinda Balluku në atë që ai e cilësoi si “korrupsion të organizuar”.
Duke iu referuar zhvillimeve të fundit dhe hetimeve të SPAK, Bylykbashi tha se Balluku ka vepruar si “zëvendëskryeministre për korrupsionin e organizuar”, ndërsa Ergys Agasi, sipas tij, përfaqëson “zëvendëskryeministrin e krimit të organizuar”.
Ai theksoi se këto pretendime janë denoncuar prej kohësh nga opozita dhe se sot, sipas tij, faktet e dala nga hetimet shkojnë përtej akuzave politike të bëra nga Partia Demokratike.
“Sot po dalin prova që konfirmojnë gjithçka që kemi denoncuar më herët. Ajo që po ndodh nuk është asgjë e re për ne, por tashmë është e dokumentuar edhe nga hetimet”, u shpreh Bylykbashi.
Sipas deputetit demokrat, lidhja mes politikës, krimit të organizuar dhe vendimmarrjes parlamentare reflektohet qartë në mënyrën se si votojnë deputetët e Partisë Socialiste.
“Mjafton të ndiqni votat e deputetëve të PS për të parë se aty janë bashkë krimi, mafia dhe Edi Rama”, deklaroi ai, duke shtuar se kjo, sipas opozitës, përbën një rrezik serioz për demokracinë dhe shtetin e së drejtës.
