“Shumë herët për të hequr sanksionet ndaj Iranit”/ Ursula von der Leyen: Evropa pagoi 32 miliardë dollarë më shumë për energji

Data

Presidentja e Komisioni Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se është ende herët për të hequr sanksionet ndaj Iranit, duke theksuar se një vendim i tillë kërkon ndryshime thelbësore në sjelljen e këtij shteti.

Gjatë një konference për shtyp në Berlin, ajo u shpreh se sanksionet janë vendosur për arsye të qarta, duke përmendur shkeljet e të drejtave të njeriut dhe trajtimin e popullsisë nga autoritetet iraniane.

“Së pari duhet të shohim një ndryshim themelor në Iran përpara se të diskutojmë për heqjen e sanksioneve”, tha ajo.

Von der Leyen ndaloi edhe te pasojat ekonomike të tensioneve në Lindjen e Mesme, duke zbuluar se vendet evropiane kanë paguar rreth 32 miliardë dollarë më shumë për importet e naftës dhe gazit që nga fillimi i konfliktit me Iranin.

Ajo theksoi se krizat e njëpasnjëshme energjetike, nga ndërprerja e furnizimit me gaz nga Rusia deri te tensionet në Ngushticën e Hormuzit, kanë ekspozuar dobësinë e Evropës ndaj varësisë nga lëndët djegëse fosile të importuara.

Sipas saj, zgjidhja afatgjatë qëndron në diversifikimin e burimeve energjetike, duke rritur investimet në energjinë e rinovueshme dhe duke eksploruar teknologji të reja, përfshirë energjinë bërthamore dhe reaktorët modularë të vegjël.

“Çdo kilovat-orë e prodhuar brenda Evropës rrit stabilitetin ekonomik dhe pavarësinë tonë energjetike”, përfundoi ajo.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related