Pas incidentit me të shtëna me armë në Washington, D.C., Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nisur bisedimet për rishikimin e planit të sigurisë në prag të vizitës shtetërore të Charles III.
Sipas një deklarate nga Buckingham Palace, Mbreti është mbajtur i informuar për zhvillimet dhe është shprehur i lehtësuar që presidenti Donald Trump, Melania Trump dhe të gjithë të pranishmit në event janë të sigurt.
Zëdhënësi i Pallatit bëri të ditur se gjatë ditës do të zhvillohen disa diskutime për të vlerësuar nëse ngjarja e fundit do të ndikojë në aspektet operative të vizitës.
Mësohet gjithashtu se Charles III dhe Camilla kanë kontaktuar privatisht me presidentin amerikan dhe bashkëshorten e tij për të shprehur mbështetje pas incidentit.
Të shtënat ndodhën gjatë Darkës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë në hotelin Washington Hilton, ku u krijua panik mes të pranishmëve. Presidenti dhe Zonja e Parë u evakuuan menjëherë nga Shërbimi Sekret i SHBA, ndërsa autori i dyshuar u arrestua në vendngjarje.
Ngjarja ka shtuar shqetësimet për sigurinë në evente të nivelit të lartë dhe ka shtyrë autoritetet britanike dhe amerikane të rishikojnë masat përpara vizitës së planifikuar.
