Kreu i Partia Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të ashpra ndaj qeverisë gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarët, duke e cilësuar funksionimin e shtetit si të orientuar drejt përfitimeve të një rrethi të ngushtë.
Në fokus të deklaratave të tij ishte AKSHI, të cilin Berisha e quajti “gropë e zezë familjare”, duke pretenduar se përmes këtij institucioni janë përfituar shuma të mëdha nga tenderat publikë në fushën e teknologjisë.
Ai akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama, si dhe persona të lidhur me të, për përfshirje në këto procese, ndërsa shtoi se ligji për konfliktin e interesit, sipas tij, “nuk ekziston më në praktikë”.
Sipas Berishës, një vendim i vitit 2017 për centralizimin e tenderave të IT-së në një institucion të vetëm ka krijuar mundësi për abuzime financiare në shkallë të gjerë. Ai ngriti gjithashtu shqetësime për mënyrën e menaxhimit të pasurive publike dhe për transparencën në dhënien e koncesioneve.
Në përfundim të deklaratës, lideri i opozitës u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar më 8 maj në Tiranë, duke e cilësuar atë si një reagim të nevojshëm qytetar ndaj qeverisë.
