Skandali në AKSHI/ Lala: Agasi dhe Beqiri kishin nën kontroll transaksionet financiare dhe dosjet gjyqësore, ndikonin në ecurinë e proceseve

Data

Gazetarja Klodiana Lala ka zbardhur detaje të reja tronditëse lidhur me aksionin e SPAK në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), ku janë lëshuar masa sigurie për drejtoreshën e institucionit, Mirlinda Karçanaj, si dhe për biznesmenët Ermal Beqiri dhe Ergys Agasi.

Sipas burimeve pranë hetimit, dy tenderët kryesorë që janë nën lupën e SPAK lidhen me mirëmbajtjen e Thesarit të Shtetit dhe administrimin e dosjeve gjyqësore – dy sektorë të ndjeshëm që prekin drejtpërdrejt sigurinë financiare dhe institucionale të vendit.

“Së pari kemi tenderin për mirëmbajtjen e Thesarit të Shtetit, ku ka dyshime të forta se grupi i strukturuar kriminal, ku dyshohet se bëjnë pjesë Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, kishte në dorë të gjitha të dhënat financiare dhe transaksionet brenda dhe jashtë vendit. Bëhet fjalë për të dhëna që lidhen me shtetas shqiptarë e të huaj, kompani private dhe persona të ekspozuar politikisht”, raporton Klodiana Lala.

Së dyti, hetimi përqendrohet te tenderi për administrimin e dosjeve gjyqësore, ku sipas SPAK, i njëjti grup dyshohet se kishte akses të plotë mbi të dhënat që lidhen me çështjet hetimore dhe gjyqësore, përfshirë caktimin e gjyqtarëve dhe ecurinë e seancave, duke ngritur dyshime serioze për ndikim të drejtpërdrejtë në proceset e drejtësisë.

Gazetarja Lala bën me dije gjithashtu se nga hetimet ka rezultuar se Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, në bashkëpunim mes tyre, kanë marrë peng biznesmenin Gerond Meçe, një nga operatorët ekonomikë që fitonte më së shumti tendera në AKSHI. Pas disa orësh shantazhi dhe presioni, ai është detyruar të tërhiqet nga gara dhe të heqë dorë nga të gjitha tenderat në këtë institucion.

“Rezulton se pas dhunës dhe shantazhit, Meçe është detyruar të paraqitet pranë komisioneve përkatëse dhe të tërheqë edhe ankimimet që kishte bërë për tendera të caktuara. Këto të dhëna janë siguruar përmes celularëve, kamerave të sigurisë dhe burimeve të tjera hetimore”, raporton Lala.

Sipas SPAK, drejtoresha dhe zv.drejtoresha e AKSHI-t kanë favorizuar kompanitë e Ermal Beqirit, duke i kaluar dhjetëra tendera me vlera shumë të larta financiare.

Ndaj Ergys Agasit dhe Ermal Beqirit rëndojnë akuza të rënda, përfshirë:

  • konkurrencë të paligjshme përmes dhunës
  • heqje të paligjshme të lirisë
  • pastrim parash
  • kryerje të veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal

Ndërkohë, ndaj drejtuesve të AKSHI-t rëndojnë akuzat për shkelje të barazisë në tendera, të kryera në bashkëpunim.

Në kuadër të hetimeve janë ushtruar dhjetëra kontrolle në banesa dhe biznese, përfshirë edhe subjektet e Klajdi Merkajt, i arrestuar më herët si pjesë e grupit kriminal të vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja. Sipas hetuesve, ka dyshime të forta se përmes bizneseve të Merkajt janë pastruar miliona euro të përfituara nga tenderat e AKSHI-t.

Hetimet e SPAK vijojnë, ndërsa nuk përjashtohet zgjerimi i listës së personave nën hetim dhe akuzave në ditët në vijim.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related