Presidenti i Partia e Lirisë, Ilir Meta, i është drejtuar publikisht GJKKO me një kërkesë për transmetimin e drejtpërdrejtë të procesit gjyqësor ndaj tij.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Meta thekson se kjo kërkesë vjen në funksion të transparencës dhe informimit publik, duke kërkuar që të gjitha seancat – duke nisur nga ajo e parë më 27 prill 2026 – të transmetohen live dhe të jenë të aksesueshme për mediat dhe qytetarët.
Ai argumenton se, për shkak të funksioneve të larta shtetërore që ka mbajtur ndër vite, përfshirë President i Republikës, Kryetar Kuvendi dhe Kryeministër, ekziston një interes i lartë publik për këtë proces.
“Transparenca dhe llogaridhënia janë detyrim për çdo institucion dhe çdo funksionar publik”, shprehet Meta, duke kërkuar që mediat të kenë akses të plotë në sinjalin e transmetimit gjatë gjithë gjykimit.
Seanca e parë ndaj tij pritet të zhvillohet më 27 prill, ndërsa mbetet për t’u parë nëse gjykata do ta pranojë këtë kërkesë për një proces të hapur dhe të transmetuar në kohë reale.
