Botoks kontrabandë, klinika estetike të mbushura me këtë produkt e injektime që kryhen nga njerëz jo kopetentë. Investigimi i radhës i Piranjave tregon jo vetëm stomatologë, infermierë e parukierë që kryejnë injektime filler e botoks, trajnime që nisin e mbarojnë brenda 3 ditëve duke paguar mijëra euro, certifikata të pavlefshme të dhëna nga administratorët e klinikave, por mënyrën se si futet ky bar në vendin tonë, në një kohë kur nuk është i licensuar për aplikim dhe tregtim. Persona të implikuar në këtë tregti të paligjshme nga e cila përfitohen shuma të mëdha parash, të cilët ditën për diell në mes të kryeqytetit, nuk e kanë aspak problem të të shesin botoks, të paruajtur në kushtet e duhura fizike, higjienike dhe atmosferike. Mjafton të bësh porosinë, të paguash e të marrësh mallin.
Pas kërkesave të njëpasnjëshme për informacion të dërguara nga Piranjat në institucionet e sipërpërmendura, më datë 15 tetor 2024, Policia e Tiranës kreu një aksion blic në 30 klinika estetike të Tiranës, ku konstatoi botoks kontrabandë, aksion që përfundoi me disa persona të ndaluar e disa të tjerë të shpallur në kërkim.
