Interesi i jashtëzakonshëm për finalen e FIFA World Cup Final ka çuar çmimet e biletave në nivele ekstreme në tregun e rishitjes, ku disa prej tyre po ofrohen për shifra marramendëse që kalojnë 2.2 milionë dollarë për një vend.
Sipas të dhënave nga platforma zyrtare FIFA Marketplace, biletat më të shtrenjta të kategorisë së parë janë listuar për rreth 2,299,998 dollarë secila. Kjo do të thotë se një grup prej katër personash duhet të paguajë mbi 9 milionë dollarë për të ndjekur nga afër ndeshjen finale.
Paradoksalisht, disa vende më pak të favorshme, si ato të kategorisë së tretë në pjesët e sipërme të stadiumit, janë listuar po në të njëjtin nivel ekstrem çmimi. Ndërkohë, biletat në zona më afër fushës variojnë nga 16,000 deri në mbi 24,000 dollarë, duke reflektuar kërkesën e lartë dhe spekulimet në treg.
Aktualisht, bileta më e lirë për finalen në tregun e rishitjes kushton rreth 11,000 dollarë, ndërsa vendet e dedikuara për persona me aftësi të kufizuara arrijnë deri në 15,000 dollarë.
Platforma e rishitjes e FIFA-s lejon mbajtësit e biletave të vendosin vetë çmimet, pa kufizime, ndërsa organizata përfiton një komision prej 15% si nga shitësi ashtu edhe nga blerësi.
Këto çmime rekord kanë shtuar debatet mbi përballueshmërinë e turneut, i cili ishte premtuar si një nga më të aksesueshmit për tifozët, por që në praktikë po rezulton gjithnjë e më i kushtueshëm, sidomos për finalen.
