Deputeti i opozitës Petrit Vasili ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama për një marrëveshje të mundshme me Greqinë lidhur me kufirin detar, duke kërkuar që çështja të hetohet urgjentisht nga SPAK.
Sipas Vasilit, zhvillimet e fundit dhe raportimet në mediat greke, të cilat hedhin dyshime mbi ekzistencën e një marrëveshjeje konkrete, tregojnë se procesi po zhvillohet në mungesë transparence dhe në prapaskenë. Ai e cilëson këtë situatë si një rrezik serioz për interesat kombëtare.
Deputeti thekson se çështja e kufirit detar është një nga temat më të ndjeshme për vendin dhe nuk mund të trajtohet pa përfshirjen e institucioneve kushtetuese dhe pa informim publik. Ai ngriti një sërë pyetjesh mbi negociatat, përfshirë mungesën e transparencës për marrëveshjet e mëparshme, rolin e grupit negociator dhe vendimmarrjen për dërgimin e çështjes në Gjykatën Ndërkombëtare.
Vasili gjithashtu vë në dyshim procedurat e ndjekura nga qeveria, duke pretenduar se janë anashkaluar institucione kyçe dhe janë bërë deklarata të njëanshme që mund të dëmtojnë pozicionin e Shqipërisë në një proces ndërkombëtar.
Në përfundim, ai kërkon që SPAK të ndërmarrë një hetim të thelluar dhe të plotë për të zbardhur të gjitha rrethanat dhe përgjegjësitë, duke e konsideruar këtë çështje si një test për funksionimin e drejtësisë në vend.
