Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka urdhëruar ndryshim në mënyrën e kontrollit rrugor, duke kërkuar që automjetet të mos ndalohen më pa shkak në akset nacionale.
Gjatë takimeve me strukturat e Policisë Rrugore në Tiranë dhe drejtuesit e sigurisë publike në qarqe, ai theksoi se kontrolli duhet të mbështetet më shumë te teknologjia, përmes përdorimit të poliskanëve, radarëve të shpejtësisë dhe dronëve.
Sipas tij, çdo masë administrative e vendosur nga këto pajisje duhet të regjistrohet në sistem brenda ditës, duke shmangur kontaktet e panevojshme në terren dhe duke rritur transparencën.
Hita kërkoi gjithashtu kontrolle më rigoroze në zonat urbane për shkelje si parkimet e gabuara, manovrat e rrezikshme, zhurmat nga marmitat e modifikuara dhe drejtimi i mjetit nën efektin e alkoolit.
Në fokus të porosive të tij ishin edhe siguria gjatë sezonit turistik, mbrojtja e nxënësve pranë shkollave dhe bashkëpunimi mes Policisë Rrugore dhe strukturave të tjera si patrullat e rendit dhe “Shqiponjat”.
Në përfundim, ai theksoi se policia duhet të jetë model në sjellje dhe integritet, duke ofruar shërbim më korrekt dhe profesional për qytetarët.
