Gazetari Artan Hoxha ka dhënë detaje mbi ngjarjen e rëndë në Memaliaj, ku mbeti i vrarë 30-vjeçari Endri Goxha dhe u plagos 25-vjeçari Dali Nela, vëllai i autorit të dyshuar Donaldo Nela.
Sipas tij, viktima ka shkuar në vendngjarje i armatosur dhe me qëllimin për të sulmuar, duke hapur zjarr ndaj palës tjetër. Hoxha thekson se reagimi i menjëhershëm nga brenda lokalit ka shmangur pasoja edhe më të rënda, pasi në të kundërt mund të kishte më shumë viktima.
Ai shton se nga të dhënat paraprake rezulton se ka pasur shkëmbim zjarri mes palëve, ndërsa dinamika e ngjarjes është më e qartë sesa motivi, i cili ende mbetet nën hetim. Sipas gazetarit, dyshohet se konflikti mund të jetë nxitur nga interesa të vogla ose përplasje për territor, dhe jo domosdoshmërisht nga një konflikt i drejtpërdrejtë mes viktimës dhe autorit.
Një element që përmendet është edhe aktiviteti i lokalit të vëllezërve Nela, i cili pas daljes nga burgu të njërit prej tyre ishte kthyer në një nga më të frekuentuarit në qytet, gjë që mund të ketë krijuar tensione me grupe të tjera.
Hoxha theksoi se, megjithëse mund të ketë nisur si një demonstrim force, ngjarja përfundoi tragjikisht me humbje jete. Ai shtoi se situata mbetet e paqartë dhe hetimet janë ende në fazë paraprake, ndërsa paralajmëroi se konflikte të tilla mund të mos jenë të izoluara.
