Një tjetër alarm për sigurinë ushqimore është ngritur në Shqipëri, pasi Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka bllokuar një produkt të importuar nga Gjermania, i cili rezulton i kontaminuar me bakterin e rrezikshëm Salmonella.
Sipas njoftimit zyrtar, bëhet fjalë për produktin Nudossi Haselnuss-Nougat-Crème (300 g), një krem lajthie me kakao që është sinjalizuar nga sistemi europian i alarmit të shpejtë për ushqimet (RASFF) si rrezik serioz për shëndetin e konsumatorëve.
Nga verifikimet e kryera nga AKU në subjektin importues “Lengo Group”, është konstatuar se në total janë importuar 18.3 kg të këtij produkti, të cilat janë bllokuar dhe do të asgjësohen. Megjithatë, një pjesë prej 8.7 kg rezulton të jetë shitur tashmë tek konsumatorët.
Për këtë arsye, autoritetet kanë kërkuar nga kompania që të njoftojë publikun në pikat e shitjes dhe u bëjnë thirrje qytetarëve që nëse e kanë blerë këtë produkt, të mos e konsumojnë, por ta kthejnë menjëherë në vendin ku e kanë blerë.
Çfarë rreziku paraqet salmonela?
Salmonela është një bakter që shkakton infeksione ushqimore, të cilat mund të shoqërohen me simptoma si:
- temperaturë e lartë
- diarre
- të vjella
- dhimbje barku
Në raste të caktuara, veçanërisht te fëmijët, të moshuarit apo personat me imunitet të dobët, infeksioni mund të jetë më i rëndë dhe të kërkojë trajtim mjekësor.
Autoritetet theksojnë se reagimi i shpejtë synon të minimizojë rrezikun për shëndetin publik, ndërsa kontrolli i produkteve ushqimore në treg mbetet një prioritet për garantimin e sigurisë së konsumatorëve.
