Rama mesazh protestuesve: Mos u bëni instrument i interesave të tjera, beteja për Nartën u politizua

Data

Kryeministri Edi Rama ka komentuar sërish protestat kundër projektit në Nartë, duke u bërë thirrje qytetarëve të mos bien pre e dezinformimit dhe të mos përdoren, sipas tij, për interesa që nuk lidhen me mbrojtjen e mjedisit apo interesin publik.

Gjatë podcastit “Flasim”, Rama përdori analogjinë me personazhin Fabrice del Dongo nga romani “Manastiri i Parmës” i Stendalit, i cili idealizoi betejën e Vaterlosë, por përfundoi i zhgënjyer nga realiteti i saj. Sipas kreut të qeverisë, një pjesë e protestuesve po rrezikojnë të ndjekin një rrugë të ngjashme, duke u udhëhequr nga emocione dhe informacione të pjesshme.

“Kur emocioni ushqehet nga gjysmë të vërteta, nga pamje të shkëputura nga konteksti dhe nga sloganet që qarkullojnë më shpejt se provat, atëherë idealizmi kthehet në instrument në duart e atyre që kanë interesa krejt të tjera”, u shpreh Rama.

Kryeministri argumentoi se debati ndërkombëtar rreth projektit është ndikuar edhe nga zhvillime politike globale, duke pretenduar se kundërshtimet nuk lidhen vetëm me çështjen e Nartës.

“Bota spostoi në Nartë një betejë të madhe kundër Presidentit të Amerikës për arsye që nuk kanë të bëjnë fare me Nartën”, deklaroi ai.

Sipas Ramës, kjo situatë ka krijuar hapësirë që aktorë politikë të shfrytëzojnë pakënaqësitë e qytetarëve për interesa personale apo elektorale.

Ai shtoi se qeveria mbetet e hapur për dialog dhe bashkëpunim me të gjitha palët e interesuara, me synimin për të përmirësuar projektin dhe për të adresuar shqetësimet e ngritura, por jo për ta bllokuar atë përpara se të zhvillohet plotësisht.

“Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë brenda realitetit për ta bërë projektin sa më të mirë të mundshëm”, theksoi Rama.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related