“Do të jem përballë tyre në gjykatë”, Sali Berisha akuzon Taulant Balla si autor të “trillimit” për çështjen Partizani dhe përmend si dëshmitarë edhe Edi Ramën

Data

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar nga jashtë ambienteve të SPAK, duke hedhur akuza të drejtpërdrejta ndaj Taulant Balla, të cilin e cilësoi si “autor të parë të trillimit” për çështjen e njohur si “Partizani”.

Në deklaratën për mediat, Berisha u shpreh se Balla do të jetë një nga dëshmitarët kryesorë në procesin gjyqësor që lidhet me këtë çështje, duke e konsideruar akuzën ndaj tij si një shpifje të rëndë. Sipas tij, pretendimi se ai i ka dhënë tokë të shpronësuar dhëndrit të tij është i pavërtetë dhe i fabrikuar.

Ai shtoi gjithashtu se në këtë çështje përmendet edhe kryeministri Edi Rama dhe zyrtarë të tjerë, të cilët sipas tij kanë firmosur ndryshime në destinacionin e truallit, duke e kthyer atë nga një hapësirë sportive në zonë urbane.

“Taulant Balla është autori i shpifjes… Rama dhe vartësit e tij kanë 40 firma për ndryshimin e destinacionit të terrenit”, deklaroi Berisha, duke shtuar se këto veprime, sipas tij, janë kryer pa kërkesë nga pronarët.

Në vijim, ai theksoi se është i gatshëm të përballet në çdo moment me dëshmitarët nëse kjo kërkohet nga gjykata. “Nëse gjykatësi kërkon që unë të jem aty, do të jem padiskutim përballë tyre”, u shpreh lideri i opozitës.

Çështja “Partizani” mbetet një nga dosjet më të ndjekura në vend, ndërsa hetimet dhe proceset gjyqësore pritet të vijojnë me dëgjimin e dëshmitarëve dhe paraqitjen e provave nga palët.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related